Një nga tiparet dalluese të shoqërisë shqiptare është harmonia ndërfetare, e cila paraqet një vlerë që ka mbijetuar dhe lulëzuar përmes shekujve, pavarësisht rrethanave dhe sfidave historike, politike dhe shoqërore. Në një territor ku bashkëjetojnë myslimanë e të krishterë, shqiptarët kanë ndërtuar një model unik të tolerancës dhe të mirëkuptimit fetar. Kjo harmoni prej kohësh nuk është thjesht bashkëjetesë, por një bashkëveprim i bazuar në respektin, traditën dhe kulturën e përbashkët kombëtare. Që feja të mos jetë një faktor ndarës, ajo është kthyer në një element që pasuron identitetin shqiptar, duke dëshmuar se përkatësia fetare nuk e zbeh përkatësinë kombëtare, por e begaton dhe e forcon atë; ajo u bë një faktor përbashkues. Kjo bashkëjetesë paqësore është një dëshmi e pjekurisë së shoqërisë shqiptare dhe një shembull frymëzues dhe model për shumë vende, popuj e shoqëri të tjera.
Populli ynë ka qenë dhe mbetet i lidhur ngushtë me dy besimet më të mëdha monoteiste: Krishterimin dhe Islamin. Të dy besimet kanë pasur një rol të pazëvendësueshëm në krijimin e identitetit të popullit shqiptar përgjatë shekujve. Roli dhe misioni i feve, ashtu si në çdo shoqëri tjetër, është i shumanshëm dhe i thellë – nga aspekti shpirtëror, moral e social, deri tek ai kulturor, arsimor, ekonomik dhe historik.
Bashkëjetesa e dy besimeve më të mëdha monoteiste – e Islamit dhe e Krishterimit – ka bërë që toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar të jenë një domosdoshmëri historike për popullin shqiptar. Kjo bashkëjetesë ka shërbyer si një faktor kyç për ruajtjen e unitetit kombëtar dhe ekzistencën tonë si komb, duke na e dhënë një vlerë të rrallë: harmoninë ndërfetare – një pasuri që shumë vende të botës ende e kërkojnë.
Madje, kjo harmoni ndërfetare ka kaluar edhe në përmasa ndërkulturore dhe ndëretnike. Kjo sepse, që të dy këto besime abrahamike – Krishterimi dhe Islami – historikisht janë të organizuara në bashkësi dhe udhëhiqen prej prijësve fetarë që meritojnë një respekt të veçantë për kontributin e tyre në ndërtimin e themeleve të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.
Pra, vlera e harmonisë ndërfetare është ngritur dhe kultivuar prej udhëheqësve shpirtërorë të këtyre komuniteteve, të cilët me urtësi dhe përkushtim kanë lexuar, komentuar e interpretuar drejt mesazhet e shenjta të librave hyjnorë – Kuranit dhe Biblës – duke ndriçuar udhën e bashkëjetesës dhe të mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve të tyre në veçanti, dhe shoqërisë në përgjithësi.
Një thirrje e tillë madhore për njohje dhe afrimitet gjendet në Kuranin fisnik, ku në mënyrë decidive, thuhet: “O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej mashkulli e femre, dhe ju kemi bërë popuj e fise, që të njiheni me njëri-tjetrin.” (Kuran, Huxhurat, ajeti i 13-të)
Ndërsa, nga Bibla dërgohet ftesa për paqe dhe mirëkuptim të ndërsjellë: “Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, rroni në paqe me të gjithë njerëzit!” (Bibla, Letra drejtuar Romakëve 12:18)
Prandaj, duke u mbështetur mbi këto parime, bashkëjetesa, mirëkuptimi, harmonia dhe respekti ndërfetar janë bërë pjesë e traditës sonë dhe janë njohur e vlerësuar gjerësisht edhe prej të huajve. Këto vlera janë bërë një tipar dallues i popullit tonë, i cili vlerësohet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim – nga Meka në Vatikan, e deri në Jerusalem. Madje, jo vetëm sot, por kështu ka qenë që në krye të herës.
Dhe kjo, po e themi për të dytën herë, falë prijësve tanë fetarë, të cilët me urtësinë dhe vizionin e tyre, krijuan premisat për mirëkuptim dhe bashkëjetesë mes besimtarëve, duke promovuar ndjesinë e përkatësisë së përbashkët dhe të vëllazërisë hyjnore, si dhe, në periudhat historike, duke mbështetur idenë e shtetformimit dhe kombformimit. Ata e trajtuan fenë si një pasuri, dhe jo si burim ndarjeje apo përçarjeje.
Prijësit e shquar të komuniteteve fetare shqiptare ishin të vetëdijshëm se feja duhet shpjeguar dhe interpretuar në frymën e mësimeve të Zotit të Madhëruar. Ata e kultivuan mesazhin se “myslimanë e të krishterë kemi një Zot të vetëm”, të Cilin e adhurojmë secili në formën dhe sipas doktrinës së vet, mirëpo jo duke u ndarë, por duke u bashkuar.
Me përgjegjësi të lartë, prijësit tanë fetarë prore kanë promovuar vlerat e përbashkëta të popullit tonë: etninë, gjakun, gjuhën, flamurin dhe atdheun. Ata i mbrojtën shqiptarët nga përpjekjet për t’i përçarë përmes fesë, duke e shndërruar fenë në një burim uniteti, sipas shembullit të Haxhi Ymer Prizrenit, Haxhi Vehbi Dibrës, Dom Nikollë Kaçorrit, Gjergj Fishtës, Hafëz Ali Korçës, Fan Nolit, Mulla Idriz Gjilanit, Hafëz Sabri Koçit, At Zef Pllumbit dhe shumë e shumë të tjerëve, përmendja e të cilëve do të shkonte shumë gjatë.
Këta burra të mëdhenj, këta intelektualë, fetarë e personalitete të shquara, duke përçuar me penë dhe me vepra mesazhe të bashkimit dhe të vëllazërisë, lanë pas vetes një trashëgimi shpirtërore dhe kombëtare që s’ka çmim për ta vlerësuar.
“Të gjithë shqiptarët janë vëllezër – qofshin myslimanë, të krishterë apo të tjerë – sepse gjaku dhe gjuha na bashkojnë”, – thoshte Haxhi Vehbi Dibra kudo që shkonte e kahdo që ligjëronte.
Ndërsa, Dom Nikollë Kaçorri vazhdonte: “Shqiptarët nuk i ndan feja, por i bashkon dashuria për atdheun.”
Gjergj Fishta shpjegonte se “feja për ne shqiptarët është punë shpirti, por Atdheu është mbi të gjitha.”
Kurse, Hafëz Ali Korça vërtetonte se: “Feja s’duhet të na ndajë, por të na bashkojë në të mirën e kombit.”
Kjo qasje e thellë dhe e gjithanshme është dëshmi e ndërgjegjes sonë historike, ku feja ka shërbyer gjithmonë si një shtyllë e fortë e shpirtrave, dhe asnjëherë nuk e ka ndarë popullin. Ajo që i ka bashkuar shqiptarët ka qenë dashuria për Atdheun dhe dëshira për t’i ruajtur vlerat e përbashkëta.
Kështu, me ndjenjën e respektit ndaj besimit të tjetrit qenë edukuar edhe besimtarët. Feja tjetër është parë si feja e vëllait, dhe objektet e kultit – xhami e kisha – janë trajtuar si vende të shenjta.
Prijësit fetarë dhe institucionet arsimore kanë ditur ta ruajnë një ekuilibër të admirueshëm: kanë promovuar fenë e tyre dhe njëkohësisht e kanë respektuar fenë e tjetrit. Ky është një tipar që e bën popullin tonë të veçantë, ndërsa bashkësitë tona fetare një model për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare.
Këto vlera të bashkëjetesës dhe të harmonisë ndërfetare janë ruajtur me sukses edhe gjatë viteve të ’90-ta, kur e përballuam okupimin serb. Atëherë dy bashkësitë tona fetare të Kosovës, Bashkësia Islame dhe Kisha Katolike, ishin në ballë të popullit dhe kontribuuan për realizimin e ëndrrës për një Kosovë të lirë.
Harmonia ndërfetare, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa janë vlera të rralla sot, po edhe shumë të nevojshme dhe tepër të rëndësishme për të gjithë popujt kudo nëpër botë. Kurse, për ne shqiptarët, meqë i kemi këto, është e rëndësishme që, sikurse përgjatë historisë, edhe sot dhe për mot t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë. Kjo është trashëgimi jona, dhe është detyrë jona njëkohësisht.
Sepse, “Feja, siç do të thoshte me të drejtë Hafiz Ali Korça, nuk është për t’i ndarë njerëzit në fise, por për t’i bashkuar në dashurinë ndaj Zotit dhe Atdheut.”
Sepse, një komb i bashkuar është një komb që ka arritur unitetin jo vetëm në aspektin politik, por mbi të gjitha edhe në nivel shpirtëror. Prandaj, çdo nismë që synon të krijojë çfarëdo ndarjeje fetare apo sektare, prej kujtdo qoftë, do të ishte një hap mbrapa për popullin tonë, dhe do t’i dëmtonte vlerat që kemi ndërtuar e kultivuar për shekuj.
Koha është për të qëndruar të bashkuar, duke e mbajtur besimin dhe kombin tonë si dy shtylla që na mbajnë të fortë dhe të qëndrueshëm. T’i mbrojmë dhe t’i kultivojmë këto dy vlera me përgjegjësi, me vetëdije dhe me dashuri – jo vetëm për ta nderuar të kaluarën tonë, por edhe për ta ndërtuar një të ardhme më të drejtë, më të qetë dhe më të bashkuar për brezat që vijnë!
E tashmja dhe e ardhmja jonë është e sigurt kur ne jemi të bashkuar dhe kur jetojmë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin. Në të kundërtën, të gjithë do të jemi humbës e të dënuar.
Ramadan Shkodra · 2025-10-16
Harmonia fetare -vlerë identifikuese e popullit shqiptarë
Editoriale